Sot zhvillohet Etapa e dytë e “Giro d’Italia 2025”, e cila do të jetë tërësisht në rrugët e Tiranës. Çiklistët do të përshkojnë disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit deri në vijën e finishit, duke sjellë kufizime të konsiderueshme në qarkullim dhe parkim.
Për pasojë, ndalohet parkimi nga ora 08:00 deri në 11:00 në segmentet që përfshijnë vendet e akomodimit të ekipeve, konkretisht në: “Zogu i Zi”, Rruga e Durrësit, Rruga “Fortuzi”, Rruga “Dervish Hatixhe”, Rruga e Barrikadave dhe rruga pas Pallatit të Kulturës.
Ndalimi i qarkullimit dhe parkimit do të nisë nga ora 10:00 deri në 18:00 në gjithsej 18 rrugë, sheshe apo bulevarde të Tiranës, përfshirë:
-
Sheshi “Skënderbej”
-
Rruga “Urani Pano”
-
Rruga “Dedë Gjo Luli”
-
Rruga “Ibrahim Rugova”
-
Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”
-
Bulevardi “Gjergj Fishta”
-
Rruga “Muhamet Gjollesha”
-
Bulevardi “Bajram Curri”
-
Rruga “Ibrahim Rugova” (dy herë përfshirë në itinerar)
-
Rruga “Lek Dugagjini”
-
Rruga “Dervish Hima”
-
Rruga e Elbasanit deri në Rrethrrotullimin e Saukut
-
Rruga “Abdyl Frashëri”
-
Bulevardi “Zogu I” deri te rruga “Fortuzi”
-
Rruga pas Pallatit të Kulturës, për stacionimin e mjeteve të eventit
Gjatë këtij orari, në këto akse nuk lejohet qarkullimi i mjeteve, me përjashtim të automjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, akses i kufizuar do të ketë në 7 zona të banuara gjatë orarit 10:00–18:00, konkretisht:
-
Rrugët lidhëse me “Papa Gjon Pali II”: “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba” dhe “Fatmir Haxhiu”
-
Rruga “Ukraina e Lirë”
Sa i përket orientimit të trafikut në datën 10.05.2025:
-
Zona e Pazarit të Ri dhe “Hoxha Tahsim” nuk do të ketë akses me Bulevardin “Zhan D’Ark”, por vetëm me rrugën e Dibrës – “Farmacia 10”, daljen në autostradën lindore dhe rrugën e Barrikadave.
-
Rruga e Kavajës dhe rruga “Myslym Shyri” do të lidhen me zonën e Tiranës së Re vetëm përmes rrugës “Dritan Hoxha” dhe Unazës së Re.
-
Zona e Qytetit Studenti, Higjiena, Shkolla e Baletit, ish-Tregu Elektrik dhe “Ali Demi” do të kenë akses përmes rrugës “Pasho Hysa”, “Pjetër Budi” dhe “Agush Gjegjevica”, me dalje në unazën lindore dhe rrethrrotullimin e Shkozës.
Nesër, më 11 maj, do të zhvillohet etapa e tretë dhe e fundit e “Giro d’Italia” në Shqipëri, që nis dhe përfundon në qytetin e Vlorës.
Etapa e parë u zhvillua një ditë më parë, duke nisur nga qyteti i Durrësit.
Përveç rëndësisë sportive, “Giro d’Italia” ka dhe një impakt të madh në promovimin e imazhit të Shqipërisë, duke u ndjekur nga audienca ndërkombëtare në shumë vende të botës. Gara do të përmbyllet në Romë, më 1 qershor 2025.


