Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka udhëtuar drejt Moskës për të marrë pjesë në Paradën e Fitores që mbahet më 9 maj në Sheshin e Kuq, me rastin e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Sipas mediave serbe, udhëtimi i Vuçiçit përfshiu një ndalesë në Baku, Azerbajxhan përpara se të vazhdonte drejt kryeqytetit rus. Gjatë qëndrimit në Moskë, ai pritet të zhvillojë edhe një takim dypalësh me presidentin rus, Vladimir Putin, sipas njoftimit të Kremlinit.
Vizita e Vuçiçit ka ngjallur reagime në Bashkimin Evropian. Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, tha se pjesëmarrja e tij në Moskë e vështirëson më tej përpjekjen për ta mbajtur Serbinë në rrugën e integrimit evropian.
Nga liderët evropianë, vetëm Vuçiç dhe kryeministri sllovak Robert Fico kanë konfirmuar praninë në këtë ngjarje. Pjesëmarrjen e kanë paralajmëruar edhe liderë të tjerë si Milorad Dodik nga Republika Sërpska, si dhe presidentët e Kinës, Bjellorusisë, Kazakistanit, Azerbajxhanit, Venezuelës, Brazilit dhe përfaqësues nga disa shtete afrikane.

