Një atentat me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e sotme kryeqytetin, ku objektiv i sulmit ka qenë një automjet i kompanisë së sigurisë “Pelikani Security”. Ngjarja ndodhi nga rrethrrotullimi i Shkozës deri pranë tregut të ri afër TEG-ut, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të mjetit të sigurisë.
Si pasojë e sulmit janë plagosur katër persona, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po marrin trajtim në spital.
Pas atentatit, autorët janë larguar nga vendngjarja dhe dyshohet se kanë djegur makinën e tyre në zonën e Lundrës për të zhdukur gjurmët. Gjithashtu, është gjetur një automjet tip “G-Class” me shenja plumbash që mund të ketë lidhje me ngjarjen.
Policia dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë ngritur pika kontrolli në disa akse kyçe të Tiranës për të kapur autorët. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit, që ka ngjallur shqetësim në opinionin publik për shkak të shkallës së dhunës dhe vendndodhjes së ndodhur në një zonë të populluar.


