Ceremonia për nder të Indrit Carës, në 26-vjetorin e rënies dhe përurimit të shtatores së dëshmorit të kombit ka bashkuar të majtë e të djathtë.
Kryebashkiaku i Kavajës që përfaqëson PD, Fisnik Qosja ka pritur sot politikanë e personalitete të ndryshme, nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj te Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, ish-Kryeparlamentari shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili pjesëmarrës i rregullt në veprimtaritë me natyrë kombëtare në Shqipëri.
Nuk ka munguar as reperi Gold AG, i cili i ka kushtuar një këngë Indrit Carës së bashku me tenorin Kastriot Tusha.
Spiropali e cila është njëkohësisht drejtuese politike e socialistëve për qarkun Tiranë, u prit me nderime nga kryebashkiaku demokrat Fisnik Qosja.
Ata morën pjesë bashkarisht jo vetëm në nderimin e dëshmorit Indrit Cara, por edhe në veprimtari të tjera rutinë, siç ishte vizita në Muzeun Etnologjik të qytetit, ku u panë të qeshur dhe të relaksuar.













