TIRANË-Kryeministri Edi Rama ditën e sotme teksa ka marrë pjesë në prezantimin e fituesve të startup dhe Startup Grant2024 ka deklaruar se platforma e-albania do të kalojë në një tjetër nivel, ku asistenti virtual do të kryejë të gjitha shërbimet që do t’u kërkohet nga qytetarët.
“E-Albania do kalojnë në një tjetër nivel, ajo Diella që del aty dhe flet, do e bëjë të gjithë shërbimin. Kjo do të realizohet me kërkesë, do i thuhet Diellës dua këtë, të gjithë punën do ta bëjë Diella, asistentja virtuale.”- bëri me dije Rama.
Ndër të tjera shefi i qeverisë ka deklaruar se deri në fund të 2026, prokurimet publike do të bëhen me inteligjencë artificiale.
“Jemi duke folur me Microsoftin për prokurimet publike pa pjesëmarrjen e njeriut që bën procesin e prokurimit publik deri në nxjerrjen e rezultatit pa pjesëmarrjen e njeriut pastaj komisioni përkatës certifikon rezultatin”, tha kreu i qeverise.
Rama tha se platforma E-albania u ka kursyer shqiptarëve në total 620 milionë euro, që ata do të harxhonin për të marrë shpenzime.
“Pashë një audit, marrë një grup ekspertësh që të bënin një audit analitik për çfarë ka ndryshuar platforma e-Albania në jetën e shqiptarëve. Dhe më mbetën në mend 3 të dhëna, e para që nga platforma janë kursyer shqiptarëve 620 milionë euro në total që përndryshe do t’i kishin harxhuar për të marrë shërbimet që kanë marrë në këto vite. E dyta, janë kursyer 75 mln fletë letre që nuk është pak. E treta, më domethënësja, koha e kursyer 25 mijë rrotullime rreth Tokës.”, tha kryeministri./Radar.al


