Bashkëdrejtuesi i koalicionit “Nisma-Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj ka reaguar sërish ndaj kryeministrit të vendit.
Deklarata e kryeministrit e bërë para pak ditësh në lidhje me anëtarët e listës së këtij të fundit mesa duket ka bërë që Lapaj të reagojë sërish.
Nëpërmjet një videoje të postuar në rrjet Lapaj shprehet se Rama i përket grupit të udhëheqësve që e trashëgojnë partinë dhe ndryshe nga koalicioni “Nisma-Shqipëria bëhet” që do t’i djegë emrat e vendosur në listën e mbyllur, kryeministri do t’i fusë ata në Parlament.
“Zoti Rama, ortaku i Zotit Berisha, që të dy bashkë i mbyllën listat qenka shqetësuar shumë përse ne kemi vendosur prindërit në listat e mbyllura, për t’i djegur ato, e me qëllim që ne të garojmë realisht për të shkuar në Parlament. Rama është mësuar me partinë e vetë, që ta trashëgojë pushtetin nga babai te fëmijët dhe nga nëna te fëmijët. Këtë po bëjnë edhe në këto zgjedhje”, thotë Lapaj.
Ndërsa më tej ai u bën thirrje qytetarëve që t’i hedhin një sy listave të mbyllura të PS në çdo qark dhe do të gjejnë aty bijtë e ish-ligjvënësve dhe zyrtarëve të majtë.
“Ju ftoj të futeni në listat e mbyllura që ka bërë Rama dhe të verifikoni fëmijët e kujt janë ata që janë në listat e mbyllura. Shikoni se ndoshta do të gjeni aty fëmijët e ish-deputetëve apo zyrtarëve të lartë të PS. Sigurisht që ata pushtetin e trashëgojnë se ashtu e kanë stil. Ne duam ta shpartallojmë sistemin e tyre që të rinjtë në këtë vend të kenë mundësi të kenë garë, pavarësisht fëmijët e kujt janë”, shprehet Lapaj më tej.


