Gjykata Speciale nuk i ka dhënë leje ish-presidentit Hashim Thaçi që të marrë pjesë ceremoninë mortore të babait të tij.
Lajmin e papritur e bëri me dije Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nëpërmjet një postimi të bërë në rrjetin social Facebook.
Në lidhje me këtë vendim Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shprehu indinjatën e saj duke e cilësuar atë si një veprim johuman.
Më tej ata shprehen se ky vendim është shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, duke e konsideruar këtë akt si të qëllimshëm.
“Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë. Të ndalosh një bir që t’i japë nderimin e fundit babait të tij, është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e konsideron këtë veprim si një akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Gjykatës Speciale, e cila synon të poshtërojë dhe të degradojë jo vetëm Hashim Thaçin dhe familjen e tij, por të gjithë ish luftëtarët dhe vlerat për të cilat ata luftuan, në shenjë hakmarrje për mungesën e provave për inkriminimin dhe dënimin e drejtuesve të UÇK-së”, thuhej në deklaratën e tyre.
Kujtojmë se babai i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Haxhi Thaçi, ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme.


