MAQEDONI E VERIUT- Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka reaguar për tragjedinë që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në një Club,, ku kanë humbur jetën 51 persona dhe kanë mbetur të plagosur 118 të tjerë.
“Po kujdesemi për të gjithë, po punojmë me të gjitha kapacitetet për të shpëtuar sa më shumë jetë që është e mundshme. Nuk do të spekuloja sa janë në gjendje kritike, por do të shkoj te Separtamenti i Kirurgjisë për të marrë informacion të hollësishëm.”- shprehet ai.
Taravari tha se ka biseduar me drejtorin e Departamentit për transfuzion të gjakut dhe që aktualisht nuk ka nevojë për gjak, por thekson se 18 pacientë janë në gjendje kritike.
Shpërndarja e pacientëve të shtruar sipas raportimeve nga mediat maqedonase:
Taravari ka njoftuar për të gjithë të rinjtë e lënduar se në cilat spitale gjenden dhe si është gjendja e tyre.
• Kirurgjia Pediatrike – 4 pacientë
• Klinika e Kirurgjisë Plastike – 11 pacientë
• Spitali Klinik i Shtipit – 45 pacientë
• Spitali i Përgjithshëm i Koçanit – 30 pacientë
• Spitali “Shën Naumi i Ohrit” – 29 pacientë
• Spitali “8 Shtatori” – 17 pacientë
• KARIL – 16 pacientë
Nga numri i përgjithshëm i pacientëve të shtruar, 18 janë në gjendje kritike:
• Kirurgjia Pediatrike – 3 pacientë
• KARIL – 7 pacientë
• Spitali i Përgjithshëm i Qytetit – 5 pacientë
• Spitali i Vjetër i Qytetit – 3 pacientë
Këtë mëngjes, shumë njerëz janë parë përpara objektit në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, meqë nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.
“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, Kryqi i Kuq është duke bërë përpiluar listën për të përcaktuar identitetet e të vdekurve./Radar.al


