TIRANË– Ditën e sotme, 1 Mars 2025, Partia Demokratike zhvilloi sot Primaret në mbarë vendin. Votimi nisi prej orës 08:00 dhe në shumicën e degëve të kësaj partie në vend u mbyll në orën 18:00, ndërsa vijon ende në degën e Fierit. Mënyra e votimit është një anëtar, një votë.
Në kryeqytet kutitë e votimit pritet të grumbullohen në selinë e Partisë Demokratike ku do të bëhet numërimi që do shfaqet edhe në një monitor. Bëhet fjalë vetëm për kutitë e degëve të kryeqytetit.
Me rreth një orë vonesë janë mbyllur votimet e primareve në degët e Elbasanit dhe Malësisë së Madhe. Në këtë të fundit votuan 791 anëtarë të Partisë Demokratike. Ndërkohë rreth orës 18:30 procesi u mbyll edhe në degët e Kukësit dhe Beratit.
Sot rreth 280 kandidatë në të gjithë vendin iu nënshtruan testit të anëtarësisë, për të qenë të përzgjedhurit e listave zyrtare të kandidatëve për deputetë. Deri në orën 16:00, PD-ja njoftoi se kanë votuar mbi 41 666 mijë persona. Në radhë për të votuar u vendosen dhe vunë edhe ata që i nënshtrohen garës së brendshme, ndërsa në fletën e votimit do të zgjidhet vetëm një emër mes tyre.
Drejtuesi politik i Fierit, Gazment Bardhi i cili mbikëqyri nga afër procesin e primareve në këtë qark, deklaroi se do të mund të votojnë edhe ata që nuk gjejnë emrin në listë, mjafton të kenë kartë anëtarësie të PD. Theksojmë se kartat jane prodhuar deri në 2021, para përçarjes Basha-Berisha.
Ndërsa në qytetin e Pogradecit u tentua të votohet me karta anëtarsie false. Drejtuesi politik Ivi Kaso tha se komisioni i votimit ka vënë re parrëgullsitë dhe nuk ka lejuar votimin, duke bllokuar ata me tesera false.
Mësohet se në këto Primare përveç të besuarve të Berishës janë futur edhe shumë figura me probleme të theksuara me drejtësinë. Krahas gjyqtarit “sheik” Gjin Gjoni në Lezhë, në Durrës u fut në garë ish-prokurori Arian Ndoja i skualifikuar nga vetingu. Gjithashtu në primaret e Dibrës bën pjesë Xhemal Gjunkshi, njeriu i lidhur me Berishën, i implikuar në aferën “Partizani”.
Kandidatët janë në nivel qarku, e votohet për secilin qark më vete. Si për shembull, në fletën e votimit të Qarkut të Tiranës do të jenë të gjithë kandidatët e Tiranës, Kamzës, Kavajës, Vorës dhe Rrogozhinës. Pas përfundimit të procesit të primareve, kandidatët e përzgjedhur do të futen edhe në filtrin e kryesisë.Radar.al
Mbyllen primaret në PD, pritet grumbullimi i gjithë kutive të Tiranës


