Një ngjarje e rëndë mësohet të ketë ndodhur orëve të vona të mbrëmjes ku disa persona të paidentifikuar kanë hapur zjarr në drejtim të një patrulle policie në fshatin Linaj të Malësisë së Madhe.
Sipas informacioneve paraprake, raportohet se kanë qenë 2 persona të cilët kanë qëlluar me armë zjarri drejt policëve.
Këta të fundit thuhet se ishin duke çmontuar disa kamera sigurie të vendosura në mënyrë ilegale në fshat.
Nga të shtënat me armë nuk raportohet për persona të plagosur, por ka dyshime se edhe policia u është përgjigjur agresorëve me zjarr.
Aktualisht, një numër i madh i forcave të policisë janë nisur drejt fshatit Linaj, ndërsa është kryer shoqërimi për t’u marrë në pyetje i disa banorëve.


