Gjatë ditës së sotme ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar nga burgu në lidhje me zgjedhjen e relatorit të çështjes së tij në Gjykatën e Lartë, për të cilën u vendos gjyqtari Sokol Binaj.
Nëpërmjet një postimi të bërë në rrjetet sociale, Salianji e cilësoi si “pengmarrje” procesin gjyqësor ndaj tij, ndërsa shprehet se çdo vendim merret me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Ai shprehet se Gjykata e Lartë ka nxjerrë dy trupa e dy relatorë të ndryshëm për rastin e tij.
‘Tani, vazhdojnë me shpifësinë e padrejtësisë, duke nxjerrë dy trupa e dy relatorë të ndryshëm për rastin tim, as më pak e as më shumë por në Gjykatën e Lartë! Është e qartë. Ky nuk është proces, por pengmarrje. Jam i marrë peng nga një organizatë kriminale që interes ka të më mbajë larg zgjedhjeve dhe aktivitetit publik, pasi kam faktuar me qindra herë korrupsionin dhe lidhjet e qeverisë me krimin ashtu siç dhe i kam mundur në çdo përballje zgjedhore! Qëllimi nuk fshihet më. Duhet të mbahem në burg, të mos lejohem të merrem me politikë, të bëj fushatë, të kandidoj! Ndryshimi apo manipulumi i shortit bëhet për të vonuar shqyrtimin dhe vendimmarrjen dhe po ashtu për të mbajtur nën presion gjyqtarët duke krijuar dy trupa. Një trupë që do të shqyrtojë çështjen, dhe një si siguresë për nevojën e qeverisë! Kjo është autokracia në veprim, ky është pushteti i sunduesit. Ky është regjimi! Kushdo do mbajë përgjegjësi, dita po vjen’, shkruan ai.
Kujtojmë se ish-deputeti i PD Ervin Salianji u arrestua më 27 shtator 2024, pasi trupa gjykuese e gjykatës së Apelit me një votim unanim lanë më 26 shtator në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës të 18 dhjetorit 2019 e cila shpallte fajtor Salianjin për ‘kallëzim të rremë’ lidhur me për audio-përgjimin e dosjes Babale dhe e kishte dënuar me 1 vit burg.


