ITALI– Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në kryeqytetin e Italisë. Në rrjet është bërë virale një video, ku shihet që një burrë i moshur ka zbrituar shkallët me makinë.
Rreth orës 4 të mëngjesit të së martës, më 17 Qershor, 80-vjeçari italian mori një kthesë të gabuar teksa shkonte në punë dhe përfundoi duke zbritur shkallët historike.
Makina u ndal vetvetiu në mes të shkallëve dhe fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Italiani gjendej i konfuzuar kur policia bashkiake dhe zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje dhe makina u desh të ngrihej me vinç për tu larguar nga shkallët.
Pavarësisht se qytetari nuk ishte i lënduar u dërgua në spital për arsye sigurie. Aty ai rezultoi negativ në testet për përdorim droge apo alkooli. Gjithashtu ai kishte një leje drejtimi të vlefshme, ku Ligji italian kërkon që qytetarët mbi 80 vjeç ta rinovojnë patentën çdo dy vjet dhe t’i nënshtrohen një ekzaminimi mjekësor për të testuar shëndetin mendor.
“Pas kryerjes së të gjitha kontrolleve të nevojshme, shoferi u raportua tek autoritetet gjyqësore.“- tha policia në një email të martën./Radar.al


