Kanë kaluar 45 vite nga plagosja e Papa Gjon Palit II në Sheshin e Shën Pjetrit, një nga ngjarjet më tronditëse në historinë moderne të Vatikanit, por shumë pikëpyetje mbi atë që ndodhi më 13 maj 1981 mbeten ende të hapura.
Atentati ndodhi gjatë një audiencë të zakonshme me besimtarët, kur Papa polak, duke përshëndetur turmën nga makina e hapur papale, u qëllua me armë zjarri nga turku Mehmet Ali Agça, anëtar i grupit ekstremist “Ujqërit gri”. Ai u plagos rëndë nga dy plumba që i shkaktuan dëmtime serioze në zonën e barkut, por arriti të mbijetojë pas një operacioni urgjent në spitalin “Gemelli” në Romë.
Në momentet e sulmit, Papa kishte ndaluar për të përshëndetur besimtarët, përfshirë edhe një vajzë të vogël, pak çaste përpara se të dëgjoheshin të shtënat që ndryshuan rrjedhën e ngjarjeve.
Autor i atentatit, Agça, ka ndryshuar disa herë versionin e tij të ngjarjes ndër vite, duke ushqyer teori të ndryshme që variojnë nga veprimi i izoluar deri te përfshirja e shërbimeve sekrete të huaja, përfshirë edhe ato bullgare apo lidhje të mundshme më të gjera.
Megjithëse ai u arrestua menjëherë pas ngjarjes, shumë detaje rreth motivit të vërtetë dhe mundësisë së bashkëpunëtorëve mbeten të paqarta edhe sot, duke e kthyer atentatin në një nga misteret më të debatuara të shekullit XX.
Papa Gjon Pali II mbijetoi, ndërsa më vonë ia atribuoi shpëtimin e tij ndërhyrjes hyjnore dhe mbrojtjes së Zojës së Fatimës, së cilës i kushtoi edhe plumbin e nxjerrë nga trupi.
Edhe pas dekadash, 13 maji 1981 mbetet një datë e mbushur me pyetje të pazgjidhura, teori të shumta dhe pak prova konkrete.


