Një tjetër rast i rëndë dhune në familje është regjistruar mbrëmjen e së premtes në Tiranë. Një 41-vjeçar është vënë në pranga nga policia, pasi plagosi me thikë bashkëjetuesen e tij pas një konflikti për motive të dobëta.
Ngjarja ndodhi në banesën e çiftit, në rrugën “Besim Alla”. Pas njoftimit, forcat e rendit mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin F. C., 41 vjeç.
E plagosura u transportua menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ende nuk është bërë e ditur gjendja e saj shëndetësore.
Policia ka sekuestruar thikën e përdorur në krim dhe ka referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.


