Sot, shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Drogat dhe Trafikimit të Tyre të Paligjshëm, një ditë e dedikuar ndërgjegjësimit për rreziqet që paraqet përdorimi i drogave dhe luftës kundër trafikimit të tyre.
Kjo ditë u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes Rezolutës 42/112, të miratuar më 7 dhjetor 1987, me synimin për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në parandalimin e abuzimit me drogën dhe luftimin e rrjeteve të trafikimit të paligjshëm.
Ministria e Shëndetësisë në një postim në rrjetet sociale shprehet se ka marrë masat e nevojshme veçanërisht gjatë kësaj periudhe që ka një rritje të ndjeshme të rasteve të intoksikacioneve nga pickimet, konsumimi i alkoolit dhe përdorimi i lëndëve psikoaktive.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Parandalimit të Konsumit të Lëndëve Narkotike, Shërbimi i Toksikologjisë dhe Adiktologjisë Klinike në QSUT ka marrë të gjitha masat për përballimin e sezonit veror, një periudhë gjatë së cilës, sipas statistikave të shërbimit, shënohet një rritje e ndjeshme e rasteve të intoksikacioneve nga pickimet, konsumimi i alkoolit dhe përdorimi i lëndëve psikoaktive”, thuhet në postim.


