Një seri email-esh të publikuara së fundmi hedhin dritë mbi lidhjet e errëta mes një agjenti modelesh dhe financierit famëkeq Jeffrey Epstein, duke zbuluar mënyrën se si vajza të reja i prezantoheshin atij ndër vite.
Sipas dokumenteve, agjenti amerikan Ramsey Elkholy i ka dërguar qindra email-e Epstein-it përgjatë një periudhe gati dhjetëvjeçare, ku diskutonte hapur për pamjen fizike të vajzave, moshën e tyre dhe qëndrimin ndaj marrëdhënieve seksuale. Në disa raste, ai i sugjeronte drejtpërdrejt që të kryente marrëdhënie me vajza, disa prej të cilave sapo kishin mbushur 18 vjeç.
Në një komunikim të vitit 2011, Elkholy përshkruante një grua në të 20-at si “të dëshpëruar për para” dhe i shkruante Epstein-it: “Të lutem provoje në shtrat”. Ndërsa në një tjetër email, ai i referohej preferencave të Epstein duke thënë: “E di që 23 vjeç është pak e madhe për ty”.
Dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA tregojnë se komunikimi mes tyre ka zgjatur nga viti 2009 deri pak para vdekjes së Epstein në vitin 2019. Në shumë prej këtyre shkëmbimeve, fokusi ishte te sigurimi i “aksesit” ndaj modeleve të reja, shpesh përmes industrisë së modës ndërkombëtare.
Sipas FBI, numri i viktimave të lidhura me Epstein mund të arrijë deri në 1,000 gra dhe vajza, çka e bën këtë një nga rastet më të rënda të abuzimit seksual në dekadat e fundit.
Email-et zbulojnë gjithashtu lidhje me industri të njohura të modës, përfshirë Victoria’s Secret, në pronësi të biznesmenit Les Wexner, si dhe markën Vera Wang. Në dokumente përmenden edhe kontakte me agjentin francez Jean-Luc Brunel, i cili u gjet i vdekur në burg në Paris në vitin 2022, ndërsa hetohej për trafikim dhe abuzim seksual të të miturve.
Një tjetër detaj i rëndë lidhet me modelen Ruslana Korshunova, e cila sipas email-eve kishte vizituar ishullin privat të Epstein në moshën 18-vjeçare. Ajo humbi jetën në vitin 2008 pasi ra nga një ndërtesë në New York, në një rast që u klasifikua si vetëvrasje nga autoritetet.
Në reagimin e tij për BBC, Elkholy ka shprehur keqardhje për gjuhën e përdorur në email-e dhe për lidhjen me Epstein, duke pretenduar se nuk kishte dijeni për abuzimet që ai kryente.
Megjithatë, përmbajtja e komunikimeve sugjeron një rrjet të gjerë lidhjesh dhe përpjekjesh të vazhdueshme për të sjellë vajza të reja në kontakt me Epstein, përfshirë edhe ide për investime në industrinë e modës në Brazil, konkurse dhe projekte që do t’i siguronin atij akses të vazhdueshëm ndaj modeleve të reja.
Komunikimi mes tyre vijoi deri në vitin 2019, kur Epstein u arrestua për herë të dytë, ndërsa edhe në mesazhet e fundit diskutimet fokusoheshin në mënyra për të sjellë gra të huaja në SHBA, përmes vizave studentore apo rrugëve të tjera alternative.


