Pesë burra janë dënuar me një total prej 189 vitesh burg, pasi u shpallën fajtorë për vrasjen e dy të rinjve – përfshirë shqiptarin Klevi Shekaj (23 vjeç) – dhe përpjekjen për të vrarë një tjetër person, në një sulm brutal në Archway, Londër, më 29 qershor 2023.
Viktimat, Klevi dhe Leonardo Reid (15 vjeç), nuk kishin asnjë lidhje me bandat kriminale. Ata u sulmuan gabimisht, pasi autorët i ngatërruan me rivalë. Leonardo humbi jetën në vendngjarje, ndërsa Klevi ndërroi jetë në spital nga plagët e thikës. Një tjetër djalë u plagos rëndë.
Të dënuarit janë:
Lorik Lupqi (21 vjeç) – minimum 39 vite burg, anëtar bande nga Islington që nisi sulmin dhe më pas u arratis në Kosovë, ku u kap dhe u ekstradua.
Eden Clark (29 vjeç) dhe Abel Chunda (29 vjeç) – minimum 38 vite secili.
Jason Furtado (28 vjeç) – minimum 37 vite.
Xavier Poponne (21 vjeç) – minimum 37 vite, i dënuar gjithashtu për drogë dhe armë të ftohta.
Hetimi zbuloi se para sulmit, pesëshja kishte bërë mbi 50 thirrje telefonike për të organizuar goditjen. Madje, Poponne u kap me tekste të një kënge “drill” ku përshkruante detaje të krimit, ndërsa në rrjete sociale ndryshoi emrin në “X3”, duke iu referuar tre viktimave të goditura.
Dhimbja e familjarëve ishte e pafund. Nëna e Klevit tha në gjykatë:
“Asnjë dënim nuk ma kthen djalin, por shpresoj që ky vendim të shërbejë si paralajmërim për të tjerët. Ai më tha se do të vinte për pesë minuta në shtëpi… në vend të tij, erdhi policia me një lajm që më shkatërroi jetën.”
Ndërsa nëna e Leonardos shtoi:
“Leo ishte një djalë i mençur e plot jetë. Vrasja e tij ishte e pamëshirshme. Asnjë numër vitesh nuk mund ta shlyejë këtë krim.”
Hetuesi Jim Barry e përmbylli:
“Çdo burrë në këtë grup kishte rol në këtë masakër. Ata do ta kalojnë pjesën më të madhe të jetës pas hekurave – aty ku meritojnë.”


