Skënder Gega nuk do të jetë më në stolin e Partizanit. Klubi i kuq ka bërë të ditur zyrtarisht përmes një postimi në rrjetet sociale se trajneri tropojan ka paraqitur dorëheqjen, e cila është pranuar nga presidenti i klubit.
Në rikthimin e tij të dytë në kryeqytet, Gega drejtoi ekipin në 11 ndeshje, duke arritur një mesatare prej 1.55 pikësh për ndeshje. Dorëheqja vjen vetëm pak ditë pas eliminimit të Partizanit nga estonezët e Nomme Kalju në turin e parë të UEFA Conference League, një rezultat që shtoi presionin mbi stafin teknik.
Në njoftimin zyrtar, klubi falënderon Gegën për kontributin dhe profesionalizmin e treguar dhe i uron suksese në karrierën e tij të mëtejshme. Nuk dihet ende se kush do të marrë drejtimin e skuadrës në vijim, ndërsa klubi pritet të dalë me një vendim të ri në ditët në vijim.


