Zvicra po rimendon strategjinë e saj të mbrojtjes, duke rikthyer në vëmendje rrjetin e gjerë të bunkerëve të Luftës së Ftohtë, mes shqetësimeve të shtuara për sigurinë, të nxitura nga agresioni rus në Ukrainë.
Rreth 8,000 bunkerë, shumë prej të cilëve ndërtuar që nga viti 1886 për të mbrojtur pika strategjike si hekurudhat dhe kalimet alpine, janë në proces rivlerësimi nga ushtria zvicerane. Këto struktura dikur pjesë e Redoubtit Kombëtar – një sistem fortifikimesh të ndërtuar për të përballuar pushtime gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë – janë kthyer në qendër të vëmendjes për modernizim.
Pas rënies së tensioneve të Luftës së Ftohtë, shumë prej këtyre bunkerëve u braktisën apo u shitën në tregun civil, duke u shndërruar në galeri arti, bodrume djathi, qendra të të dhënave, madje edhe bunkerë për kriptovaluta si “Fort Knox” zviceran në kantonin e Bernës.
Por në vitin 2023, ushtria ndaloi çdo shitje të mëtejshme, me fokusin tani në ripërdorimin e tyre për qëllime mbrojtëse. Shefi i ushtrisë, Thomas Süssli, u shpreh: “Duhet të shfrytëzojmë atë që kemi, por të përshtatemi me kërcënimet e reja”.
Synimi është që bunkerët të shndërrohen në “nyje mbrojtëse të vështira për t’u goditur”, duke u pajisur me teknologji moderne dhe duke u bërë të qëndrueshme e funksionale me kosto të ulët dhe staf të reduktuar.
Në paralel, disa kantone i kanë përshtatur bunkerët civilë për strehimin e përkohshëm të refugjatëve.
Shoqata Zvicerane për Teknologjinë dhe Forcat e Armatosura planifikon një “ditë inovacioni” në shtator, ku pritet të prezantohen ide të reja për përdorimin dhe përmirësimin e këtyre strukturave strategjike – duke ftuar jo vetëm sektorin e mbrojtjes, por gjithë shoqërinë.


