Gjendja e të lënduarve nga zjarri pranë QSUT vijon të jetë nën kontroll, ndërsa në total në urgjencë janë paraqitur 11 persona.
Drejtori i Urgjencës, Skënder Brataj, bëri të ditur se 6 prej tyre janë shtruar në spital, ndërsa 4 po trajtohen në toksikologji dhe një ndodhet në repartin e urgjencës.
Sipas tij, i vetmi rast më i rënduar është një grua rreth të 50-ave, e cila ka pësuar djegie në rreth 15% të trupit, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Janë 11 në total. 6 janë shtruar, 4 tek toksikologjia, një tek urgjenca. I vetmi person i shtruar për djegie me 15% është jashtë rrezikut për jetën. Është një grua rreth të 50-tave. Në këtë moment nuk kemi asnjë kod të kuq apo rrezik për jetën,” u shpreh Brataj.
Ai shtoi gjithashtu se mes të lënduarve ka edhe efektivë zjarrfikës, por numri i saktë i tyre do të konfirmohet më vonë.


