Një zjarr i përmasave të mëdha ra një ditë më parë në Drizë të Fierit, pasi një i ri 20-vjeç po digjte në tokën e të atit disa barishte, por flakët i dolën jashtë kontrollit.
Kreshnik Ymeraj, Përgjegjësi i Mbrojtjes Civile Fier në një lidhje të drejtëpërdrejtë në ‘Sot Live në Shqipëri’ tha se flakët kanë ‘përpirë’ 110 hektarë sipërfaqe me shkurre, përfshirë edhe ullinj.
“Zjarri pretendohet se nisi pasi një person po digjte barishte në tokën e vetë, por zjarri doli jashtë kontrollit dhe ka djegur rreth 110 hektarë. Gjithashtu ka pasur edhe një dëme te depot e ujësjellësit aty pranë, por fatmirësisht nuk ka ndikuar te furnizimi me uji”, tha ai.
Sa i përket zonave me rrisk të lartë të zjarrit, Ymeraj tha se të gjitha zonat në qarkun Fier janë të rrezikuara.
“Në zonat me rrisk të lartë zjarri janë masa paraparke, janë hapur korridore rruge për zjarrfikëset për të menaxhuar zjarret. Të gjitha zonat bregdetare, por edhe zonat malore, zonat pyjore në të gjithë qarkun Fier janë të rrezikuara”, shtoi ai.
Në fund ai nënvizoi se fatëmirësisht dëme në banesa nuk pati, por megjithatë qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe mos të ndezin zjarre veçanërisht kësaj periudhe.
“Fatmirësisht nuk pati dëme në banesa, pati vetëm prezencë të flakëve në oborret e banesave. Qytetarët kanë rolin kryesor, duke mos ndezur zjarre gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta. Dëmi më i madh është në ullishte, ende nuk e dimë sa është numri i ullinjve të dëmtuar. Kaluam një situatë problematike, por fatmirësuisht nuk patëm dëme në njerëz. Falenderoj të gjithë strukturën që menaxhoi zjarrin”, përfundoi Ymeraj.


