Zjarrfikësit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Zonave të Mbrojtura dhe drejtorin rajonal për Qarkun Vlorë, vijojnë të monitorojnë nga afër situatën pranë një prej mrekullive natyrore më të vizituara në vend, Syrin e Kaltër.
Sipas burimeve zyrtare, deri tani zona është e paprekur nga flakët, por dy vatra të vogla janë shfaqur në periferi, duke u aktivizuar herë pas here nën ndikimin e erës dhe temperaturave të larta.
Forcat në terren po qëndrojnë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë menjëherë, me qëllim që të parandalohet çdo përhapje e mundshme drejt monumentit natyror. Monitorimi vijon 24 orë në ditë, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje vizitorëve dhe banorëve të tregojnë kujdes maksimal për të shmangur çdo rrezik zjarri në këtë zonë me rëndësi të veçantë turistike dhe ekologjike.
Radar.al


