Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, deklaroi sot se situata me zjarret në vend është nën kontroll, pas disa ditësh të vështira me intensitet të lartë flakësh në disa qarqe të Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat nga baza ajrore e Kuçovës, Çako falënderoi strukturat operacionale, Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, si dhe ekipet ajrore vendase e ndërkombëtare, për kontributin e tyre në përballimin e situatës. Ai veçoi për ndihmën e dhënë edhe ekuipazhin hungarez, i cili mori pjesë në operacione ajrore për katër ditë me radhë.
Sipas tij, disa nga vatrat më problematike ishin në Malin e Shpiragut, Shashicë, Kaninë, Brosh, Piqeras dhe Bulqizë, ku në disa raste është dashur edhe evakuimi i banorëve si masë sigurie. Çako theksoi se prioriteti ka qenë gjithmonë mbrojtja e jetës dhe banesave të qytetarëve.
Ai shtoi se situata është përmirësuar ndjeshëm falë edhe ndryshimit të kushteve atmosferike, por monitorimi dhe ndërhyrjet vijojnë në terren për të shuar plotësisht vatrat ende aktive.
“Jemi në një moment më të favorshëm, por puna vazhdon. Angazhimi i pilotëve tanë dhe i gjithë zinxhirit të strukturave ka qenë i jashtëzakonshëm,” përfundoi Çako.


