Në përgjigje të situatës së rënduar nga zjarret, një avion zjarrfikës Canadair nga Italia është nisur drejt Shqipërisë. Ndihma vjen në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së. Mjeti ajror do të angazhohet në zonat jugore të Borshit, Piqerasit dhe Lukovës, ku për shkak të terrenit të thyer, ndërhyrja nga toka është e kufizuar.
Forcimi i operacioneve ajrore pritet të lehtësojë kontrollin e flakëve në këto zona të prekura prej ditësh.
Në të njëjtën kohë, helikopterët e Forcave Ajrore shqiptare janë dislokuar në dy zona të tjera me rrezik të lartë: në Zhulat (Gjirokastër) dhe Qafë Buall (Bulqizë), për të ndihmuar në izolimin e vatrave që po përhapen në sipërfaqe të mëdha pyjore.
Autoritetet mbeten në gatishmëri të lartë, ndërsa operacionet nga ajri po vlerësohen si jetike për menaxhimin e zjarreve në terrenet më të vështira.


