Një zjarr ka përfshirë pasditen e sotme një apartament në katin e parë të një pallati në lagjen “18 Shtatori” në Gjirokastër, duke vënë në rrezik jetën e një të moshuare.
Sipas Drejtorisë së MZSh Gjirokastër, njoftimi nga Policia e Shtetit u mor në orën 17:49, ndërsa menjëherë në vendngjarje u nis një mjet zjarrfikës me efektivët përkatës.
Me mbërritjen në banesë, zjarrfikësit konstatuan se brenda ndodhej një grua 83-vjeçare, shtetasja Cevi Jonuzi, e cila ishte asfiksuar nga tymi dhe nuk kishte mundësi të dilte jashtë. Shërbimet zjarrfikëse ndërhynë me shpejtësi, duke e nxjerrë të moshuarën nga banesa dhe duke e transportuar drejt urgjencës për ndihmë mjekësore.
Operacioni vijoi me vënien e flakëve nën kontroll, duke parandaluar përhapjen e zjarrit në apartamente të tjera dhe shmangur rrezikun për banorët e pallatit.
Nga zjarri janë shkaktuar dëme materiale në banesë, ndërsa shkaqet e rënies së flakëve pritet të sqarohen nga autoritetet përkatëse.


