Një apartament në katin e dytë të një pallati në lagjen “Isa Boletini” në Vlorë është përfshirë nga flakët pasditen e kësaj të hëne, rreth orës 14:30.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka shpërthyer fillimisht në ballkonin e banesës dhe më pas është përhapur drejt kuzhinës, duke shkaktuar dëme materiale.
Pas njoftimit nga banorët e pallatit, në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse, të cilat arritën të lokalizonin dhe shuanin flakët në kohë, duke parandaluar përhapjen e tyre në pjesët e tjera të banesës dhe në apartamentet përreth.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar. Sipas të dhënave paraprake të shërbimit zjarrfikës, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes janë në verifikim.


