Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë një banesë në fshatin Sovjan, në bashkinë Maliq, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Sipas burimeve paraprake, flakët kanë shpërthyer në orët e pasdites dhe janë përhapur me shpejtësi në dy dhoma të banesës. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa banorët kanë arritur të dalin në kohë.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë dy automjete zjarrfikëse, të cilat kanë arritur të vendosin nën kontroll flakët dhe të parandalojnë përhapjen e tyre në pjesët e tjera të shtëpisë apo në objektet përreth.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Maliqit ndodhen në terren dhe kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e zjarrit. Deri më tani, nuk dihet nëse bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale apo për zjarrvënie të qëllimshme.


