Një operacion i madh kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar nga autoritetet shqiptare për të gjetur një pasagjer të zhdukur nga trageti ndërkombëtar “AKKA”. Ende nuk dihen rrethanat e zhdukjes, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Kërkimet po shtrihen në një segment të gjerë detar, nga Kepi i Stillos në jug deri në grykëderdhjen e Semanit në veri, dhe përfshijnë përdorimin e teknologjisë së avancuar, përfshirë dronë dhe helikopterë.
Njoftimi zyrtar:
Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura, Policinë Kufitare dhe autoritetet italiane, ka angazhuar njësi të shumta në këtë operacion:
1 dron TB2 i Forcave Ajrore
1 helikopter UH-60 me 3 efektivë
1 anije patrulluese P05 e Forcës Detare me 4 efektivë
1 motor uji me 2 efektivë
4 mjete patrullimi të Policisë Kufitare me gjithsej 13 efektivë
Operacioni është zhvilluar në koordinim të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, duke ndjekur të gjitha protokollet e kërkim-shpëtimit në det. Deri më tani nuk ka pasur rezultate konkrete, por kërkimet do të vazhdojnë në ditët në vijim, në varësi të kushteve atmosferike dhe detare.
Autoritetet bëjnë thirrje për çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe lokalizimin e personit të zhdukur.
Radar.al


