Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka ndarë pritshmëritë e tij për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Gonxhja u shpreh në emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania se do të ishte shumë i kënaqur nëse Partia Socialiste do të siguronte 20 ose më shumë mandate në qarkun e Tiranës. Sa i përket votës personale, ai theksoi vështirësinë në përcaktimin e pragut të votave të nevojshme për të fituar një mandat deputeti, duke përmendur se mungesa e një pragu zyrtar e bën garën edhe më të paparashikueshme.
“Do të ishte një rezultat shumë i kënaqshëm nëse do të arrinim 20 mandate ose më shumë në Tiranë. Për sa i përket votës personale, është e vështirë të përcaktosh një prag të qartë, pasi me shpërndarjen e votave, konkurrenca bëhet më e fortë,” – u shpreh Gonxhja. Ai shtoi gjithashtu se për shkak të fushatës intensive dhe ndikimeve të shumta, zgjedhësit janë nën presion të vazhdueshëm, madje edhe brenda familjeve vërehen ndarje që e bëjnë klimën elektorale shumë dinamike deri në ditën e votimit.

