Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mund të vizitojë së shpejti Shtetet e Bashkuara për të diskutuar planin e Uashingtonit për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Lajmi u bë i ditur nga i dërguari special i presidentit amerikan për Ukrainën, Keith Kellogg, në një intervistë për Fox News, të cituar nga agjencia ruse Tass.
“Është një plan i mirë. Ka disa aspekte që duhen saktësuar dhe kodifikuar më mirë, por jemi shumë afër finalizimit. Do të kemi mundësi ta konfirmojmë si të tillë kur Zelensky të vijë në SHBA — gjë që ka gjasa të ndodhë, edhe pse pa garanci”, deklaroi Kellogg.
Ai shtoi se SHBA-të janë shumë pranë një zgjidhjeje për konfliktin. “Ne gjithmonë themi se 10 metrat e fundit drejt objektivit janë më të vështirat. Tani jemi në dy metrat e fundit. Jemi pothuajse aty”, tha emisari amerikan.
Detaje të mëtejshme mbi planin nuk janë bërë publike, ndërsa administrata amerikane vijon përpjekjet diplomatike për të gjetur një rrugëdalje të qëndrueshme nga lufta që po zgjat prej gati tre vitesh.


