Pesë parcela me kanabis në ambiente të mbyllura dhe të hapura janë zbuluar nga policia e Lezhës pas një aksioni antidrogë në fshatin Velë.
Gjatë këtij operacioni në pranga ranë 2 persona të identifikuar si Marin Feta, 39-vjeç dhe Anton Mashnori, 27-vjeç, teksa në gjendje të lirë do të hetohen 4 punonjës të OShEE-së.
39-vjeçari kishte përshtatur një pjesë të banesës për kultivim kanabisi me llamba dhe pajisje të tjera që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, ndërsa 2 ambiente të tjera të së njëjtës banesë ishin përgatitur për të njëjtin qëllim kriminal.
Policia asgjësoi 174 bimë narkotike kanabis dhe sekuestroi 2 armë gjahu që mbanin autorët, pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike dhe i shërbenin kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, 1 automjet dhe 18 celularë.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i administrimit disajavor të një informacioni të siguruar në vijim të punës intensive operative dhe operacionale kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, se në territorin e fshatit Velë, njësia administrative Kolsh, ishin kultivuar bimë narkotike, në ambiente të mbyllura dhe të hapura, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin e koduar “Lightning”.
Në kuadër të operacionit u kapën në flagrancë, në ambientet e banesës së përshtatur për këtë qëllim, dhe u vunë ne pranga shtetasit M. F. (pronari i banesës), 39 vjeç, banues në fshatin Velë, dhe A. M., 27 vjeç, banues në Ishull Shëngjin.
Gjatë ndërhyrjes u konstatua se në njërin ambient të banesës, ishin kultivuar me llamba dhe pajisje të tjera që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, 119 bimë të dyshuara narkotike, ndërsa 2 ambiente të tjera të së njëjtës banesë ishin përgatitur për të njëjtin qëllim kriminal.
Ndërkaq, si rezultat i kontrolleve të mëtejshme, u konstatuan në afërsi të kësaj banese, 2 parcela, në të cilat ishin kultivuar 55 bimë narkotike Cannabis Sativa, dyshohet nga 2 të arrestuarit.
Në vijim u krye kontroll dhe në banesën e 27-vjeçarit, ku u gjetën 16 celularë. Vijojnë hetimet për të sqaruar mënyrën e sigurimit dhe qëllimin e përdorimit të tyre.
Më tej, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal, për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv”, për shtetasit J. Gj., F. M., N. G. dhe B. N., me detyra përkatëse shef grupi, lexues dhe elektricistë të OShEE-së.
Hetimet vijojnë edhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.


