Një 45-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrrësit pasi vodhi një shumë parash në një farmaci në lagjen nr. 12 mbrëmjen e djeshme.
Sipas bluve Gentian Gjyzeli ishte aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për vjedhje.
Ndërkohë nga video e publikuar shihet se 45-vjeçari me një kapele në kokë dhe një shall në fytyrë, fillimisht hyn në farmaci, sulmon farmacisten dhe më pas shkon te vendi ku mbahen lekët.
“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një shtetaseje, se mbrëmë, në farmacinë ku punonte, në lagjen nr. 12, një shtetas kishte vjedhur me forcë, një shumë parash, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës finalizuan operacionin e koduar “Reagimi”, gjatë të cilit u kap pak orë pas kryerjes së krimit, dhe u vu në pranga, autori i dyshuar, shtetasi G. Gj., 45 vjeç, banues në Durrës.45-vjeçari, me precedent kriminal të theksuar në fushën e vjedhjeve, rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata, për të njëjtin krim.Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer shtetasi G. Gj”, informoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.


