Sulmuesi i Spanjës, Lamine Yamal, ka shprehur besim të plotë se kombëtarja e tij është në gjendje të fitojë Kupën e Botës 2026, duke deklaruar se hyn në çdo turne me objektivin për të ngritur trofeun.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes së 1/16-ave ndaj Austrisë, talenti i Barcelonës konfirmoi se është rikuperuar plotësisht dhe është gati të luajë gjatë gjithë takimit.
“Ndjeva një lumturi të jashtëzakonshme. Nuk kisha përjetuar kurrë më parë një ndjenjë të tillë. Kupa e Botës është diçka krejtësisht ndryshe”, tha Yamal, duke kujtuar rikthimin nga dëmtimi dhe golin e realizuar në sfidën ndaj Arabisë Saudite.
18-vjeçari u shfaq i bindur për ambiciet e Spanjës në këtë Botëror.
“Kur hyj në një turne, gjithmonë mendoj se do ta fitoj. Prandaj besoj se këtë vit do ta fitojmë Kupën e Botës”, u shpreh ai.
Yamal pranoi se skuadra nuk ka shfaqur ende potencialin maksimal në fazën e grupeve, por theksoi se objektivi kryesor në këtë fazë të garës është kualifikimi.
“Ne jemi shumë më të mirë sesa ajo që kemi treguar. Në këtë fazë të turneut, gjëja më e rëndësishme është të fitojmë”, deklaroi sulmuesi spanjoll.
Spanja do të përballet me Austrinë në fazën e 1/16-ave, me synimin për të vijuar rrugëtimin drejt trofeut të Kupës së Botës 2026.


