TIRANË- Gjykata e Tiranës do të shpallë vendimin për autorin e vrasjes së Martin Canit dhe plagosjes së bashkëmoshatarit të tij, javën e ardhshme më 9 dhjetor. Në seancën e kaluar, Prokuroria kërkoi 25 vite burg për autorin. Ndërsa avokati i tij ka kërkuar ndryshimin e veprës penale për autorin Mario Prelleshajn, nga “vrasje në rrethana cilësuese” në “vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psiqike”.
Ndonëse organi i akuzës ka kërkuar 25 vite burg, neni 97 i kodit penal për të miturit, parashikon se autorit nuk mund t’i jepet më shumë se gjysma e dënimit. Pra në rastin konkret, nëse pranohet kërkesa e Prokurorisë, autori nuk mund të dënohet me më shumë se 12 vite burg.
Ngjarja e rëndë e 18 Tetorit
I mituri Martin Cani humbi jetën tragjikisht mesditën e 18 tetorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Prelleshaj. Krimi ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Prelleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare Fan Noli. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj. Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani./Radar.al


