TIRANË– Prokuroria e Tiranës ka kërkuar burgim të përjetshëm për Arsen Muskurtin, i cili vrau vëllain e të tij Dritan Muskurti dhe kunatën, Nora Muskurti pas konflikteve të përsëritura.
Muskurti vrau me armë zjarri vëllain dhe kunatën brenda biznesit të tyre, ndërkohë sipas Prokurorisë, i pyetur për ngjarjen Arsen Muskurti është shprehur se drejt vrasjes e çuan problematikat e vazhdueshme me të vëllain, të cilin e akuzoi se shantazhonte atë dhe prindërit prej kohësh.
Njoftimi i Prokurorisë:
Vrau vëllain dhe kunatën pas konflikteve të përsëritura Prokuroria e Tiranës kërkon burgim të përjetshëm për shtetasin A.M.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë në përfundim të hetimeve, kërkon dënimin me burgim të përjetshëm, të shtetasit A.M. për kryerjen e veprës penale ’Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal për vrasjen e vëllait të tij shtetasit D.M. dhe kunatës N.M.
Në përfundim të hetimeve për çështjen penale nr.6027 të vitit 2022, u provua se shtetasi A.M., me 31.08.2022 ka hyrë brenda agjencisë së udhëtimeve ’Nour Tours’ duke mbajtur në dore një armë dhe ka goditur për vdekje me armë dy viktimat.
I pyetur për ngjarjen, shtetasi A.M. u shpreh se drejt vrasjes e çuan problematikat e vazhdueshme me të vëllain, të cilin e akuzoi se shantazhonte atë dhe prindërit prej kohësh. Debatet dhe konfliktet midis tyre kanë vazhduar për një kohë të gjatë dhe nuk u zgjidhur edhe pse i ishin drejtuar gjykatës duke çuar në aktin e rëndë./Radar.al


