Hetimet për vrasjen e Edmond Sulës, i njohur edhe si Ali Sula, janë zgjeruar përtej kufijve të Shqipërisë, ndërsa autoritetet po verifikojnë disa pista për zbardhjen e atentatit.
50-vjeçari u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të së dielës së kaluar në fshatin Bërxullë të Vlorës, teksa po kthehej në banesën e tij. Ai u qëllua me armë zjarri dhe mbeti i vdekur në vend.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me aktivitetin e tij në fushën e biznesit. Sula rezulton të ketë qenë aksioner i një kompanie të licencuar për kultivimin e kanabisit mjekësor në Maqedoninë e Veriut, ndërsa hetuesit po verifikojnë nëse mund të ketë pasur konflikte të lidhura me këtë aktivitet.
Autoritetet shqiptare pritet t’u drejtohen zyrtarisht homologëve maqedonas për të marrë informacione më të detajuara mbi aktivitetin e tij atje.
Një tjetër pistë që po hetohet lidhet me dyshimet për dhënie parash me fajde. Sipas burimeve hetimore, Sula dyshohet se jepte shuma të konsiderueshme parash në zona periferike të Tiranës dhe Niklës, ndërsa në rast mospagimi kërkonte marrjen e pronave të huamarrësve.
Gjithashtu, po verifikohet edhe një lidhje e mundshme e tij me persona të përfshirë në grupe kriminale, për shkak të kontakteve dhe shoqërimeve që ai kishte me individë të ndryshëm.
Atentati ndodhi rreth orës 00:10 të 12 korrikut, kur Sula kishte parkuar automjetin dhe po drejtohej drejt derës së banesës. Sipas dyshimeve paraprake, autori ka qëlluar nga një distancë e konsiderueshme, duke përdorur një armë me precizion të lartë.
Në vendngjarje nuk u gjetën gëzhoja, ndërsa hetuesit dyshojnë se autori është larguar me automjet menjëherë pas krimit.
Policia vijon hetimet për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të motivit të ekzekutimit.


