Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Sarandë, ku humbi jetën 66-vjeçari Rexhep Ismaili. Sipas informacioneve paraprake, mbrëmjen e ngjarjes një grup të rinjsh ka shkuar në lokalin e tij, pranë një karburanti në pronësi të familjes, ku ndodhej edhe një person me të cilin ata kishin pasur konflikt të mëparshëm për çështje pronësie.
Burime hetimore bëjnë me dije se në ambientet e lokalit ka nisur fillimisht një debat verbal, i cili më pas është përshkallëzuar në përplasje fizike mes palëve. Dyshohet se konflikti nuk kishte si objektiv vetë 66-vjeçarin.
Sipas të dhënave paraprake, pas përplasjes Ismaili është futur brenda lokalit dhe më pas ka dalë me një armë zjarri, duke qëlluar në drejtim të grupit. Nga pala tjetër dyshohet se ka pasur kundërpërgjigje me armë, ku 66-vjeçari është plagosur rëndë dhe ka humbur jetën në vendngjarje.
Policia ka shoqëruar pesë persona, të cilët po merren në pyetje, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


