Policia italiane ka arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen brutale të Hayati Aroyo, 62 vjeç, të gjetur i karbonizuar më 23 korrik në një apartament në Sesto San Giovanni, pranë Milanos. Grupi përbëhet nga një shqiptar, një italian dhe një grua italiane.
Hetimet tregojnë se viktima u godit rreth 30 herë me thikë, ndërsa më pas autorët u përpoqën të fshihnin provat duke i vënë flakën trupit dhe apartamentit. Analiza e pamjeve të kamerave të sigurisë, të dhënave telefonike dhe përgjimeve ndihmoi policinë të rindërtonte lëvizjet e autorëve dhe rolet e tyre natën e krimit.
Shqiptari dhe italiani janë dërguar në burgun Busto Arsizio, ndërsa gruaja ndodhet në burgun e Milanos, në pritje të vendimit për masën e sigurisë.
Viktima, Hayati Aroyo, ishte kunati i bosit të mafias turke Huseyin Sarai, i cili u vra në 2005 në Crotone. Megjithatë, hetimet kanë treguar se vrasja e tij nuk lidhej me aktivitetet kriminale të familjes. Identifikimi i tij u bë pas disa ditësh, duke përdorur gjurmët e gishtërinjve, për shkak të gjendjes së trupit.
Aroyo jetonte në një apartament me qira, që i ishte dhënë nga një student 20-vjeçar, i cili kishte shkuar për pushime për dy muaj.


