Zbardhet ngjarja e ndodhur më 29 nëntor 2025 në Vlorë, ku një sasi lënde plasëse shpërtheu në portën e jashtme të një banese. Falë hetimeve intensive të Komisariatit të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, u identifikuan dhe u vunë në pranga autorët e dyshuar, babë e bir.
Bëhet fjalë për shtetasit:
D. G., 59 vjeç, banues në Babicë e Madhe, Vlorë;
F. B., 29 vjeç, banues në Babicë e Madhe, Vlorë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ata kanë përdorur një automjet tip “Volkswagen Golf Plus”, të vjedhur në qytetin e Elbasanit, për t’u afruar pranë banesës së shtetases B. Z., nëna e Gentjan Zotos ku më pas është vendosur lënda plasëse që shpërtheu. Automjeti i përdorur u gjet më pas i djegur në fshatin Babicë e Vogël, Vlorë. Gentian Zoto është dënuar me 35 vite burg nga Gjykata e Apelit, si pjesë e grupit që kryen atentatin kundër Inez Hajrullës me 10 maj 2019 në Vlorë.
Babë e bir janë ndaluar për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhja”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, ndërkohë që hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.


