Vjena ka hapur zyrtarisht sezonin e festave, duke u bërë qyteti i parë në Evropë që çel tregjet e Krishtlindjeve për vitin 2025. Me 14 tregje të shpërndara në të gjithë qytetin, kryeqyteti austriak ruan traditën si një nga destinacionet më të dashura të dimrit në kontinent.
Të enjten, më 6 nëntor, oborri i Pallatit Schönbrunn u shndërrua në një skenë magjike me ndezjen e dritave dhe hapjen e tregut të parë të Krishtlindjeve të këtij viti. Vizitorët u përfshinë në atmosferën festive mes aromës së arrëmyshkut, kanellës, verës së ngrohtë dhe çokollatës, ndërsa 95 tezga të zbukuruara ofrojnë artizanate, ushqime tradicionale dhe dhurata unike.
Tregu do të qëndrojë i hapur deri më 6 janar 2026, duke u ofruar fëmijëve edhe aktivitete argëtuese si pista patinazhi, karusele dhe punëtori krijuese.
Vetëm një ditë më pas, më 7 nëntor, atmosfera festive u zhvendos edhe në Mynih, ku Weihnachtsmarkt-i në Freimann hapi dyert për publikun me instalime moderne dhe një frymë nostalgjike që të kujton tregjet klasike gjermane.
Ndërsa dritat e para festive janë ndezur, Evropa hyn zyrtarisht në sezonin më të ndritshëm të vitit — atë të Krishtlindjeve, që sjell ngrohtësi, muzikë dhe magji në çdo qytet.


