Një vullkan në lindje të largët të Rusisë ka shpërthyer për herë të parë në mbi 500 vjet, duke hedhur një re hiri deri në 6 kilometra lartësi mbi gadishullin e Kamchatka-s. Ekspertët dyshojnë se aktiviteti vullkanik i Krasheninnikov lidhet me tërmetin e fuqishëm me magnitudë 8.8 që goditi rajonin javën e kaluar.
Ministria ruse e Emergjencave njoftoi se aktualisht nuk ka kërcënime për zonat e banuara, ndërsa paralajmërimet për cunami u lëshuan pas një tërmeti tjetër me magnitudë 7.0 që goditi Ishujt Kuril disa orë pas shpërthimit. Valë deri në 18 cm priten në disa zona bregdetare.
Olga Girina, drejtuese e Ekipit të Reagimit ndaj Shpërthimeve Vullkanike në Kamchatka, tha për mediat shtetërore ruse se një lidhje mes dy ngjarjeve është e mundshme. “Lëkundjet e fuqishme të javës së kaluar kanë gjasa të kenë ndikuar në zgjimin e vullkanit pas më shumë se pesë shekujsh qetësi,” u shpreh ajo.
Kamchatka, e vendosur në “Unazën e Zjarrit të Paqësorit”, është një nga zonat me aktivitetin më të lartë sizmik dhe vullkanik në botë. Shpërthimi i fundit i Krasheninnikov ishte regjistruar në shekullin e 15-të.


