Autoritetet greke njoftuan shkatërrimin e një bande ndërkombëtare, përbërë nga shqiptarë dhe grekë, që kryente grabitje të sofistikuara në zonat elitare të Filothei dhe Psikiko, duke arritur të përvetësonte rreth 1 milion euro në mallra dhe para.
Në qendër të operacionit qëndron një 39-vjeçar shqiptar, i arrestuar nga policia, i cili drejtonte grupin dhe organizonte bastisjet e shtëpive të pushuesve dhe turistëve. Autoritetet publikuan foto dhe pamje filmike nga veprimet kriminale, që ndihmuan edhe në identifikimin dhe kapjen e tij.
Banda akuzohet për bastisjen e të paktën 16 banesave në seri. Anëtarët vepronin me planifikim të detajuar: zgjidhnin shtëpitë pranë zonave pyjore si bazë operacionale, përdornin doreza, kapele dhe maska, thyenin dyert ose dritaret me levë, çaktivizonin kamerat dhe sistemet e alarmit, dhe herë pas here sillnin shkallë për të hyrë në katet më të larta. Në disa raste, ata nuk u trembën as nga sistemi i alarmit që po binte.
Për të maksimizuar plaçkën, ata kryenin vjedhje të shumta në të njëjtën natë dhe shpesh ktheheshin pas pak ditësh për të marrë sende shtesë.
39-vjeçari u vu re mëngjesin e Krishtlindjeve nga patrullat e Departamentit të Policisë Nea Filadelfia – Nea Chalkidona. Ai tentoi të shmangte kontrollin policor duke përshpejtuar automjetin, por pas një ndjekjeje u arrestua dhe materialet u referuan për veprime të mëtejshme penale.


