Një shëtitje njëditore në Venecia mund të bëhet shumë më e kushtueshme për turistët, sepse kryebashkiaku i ri i qytetit, Simone Venturini, ka propozuar që tarifa e hyrjes për vizitorët ditorë të rritet deri në 50 euro.
Aktualisht, turistët që vizitojnë Venecian vetëm për një ditë paguajnë 5 euro nëse rezervojnë herët dhe 10 euro nëse e blejnë biletën pak ditë para mbërritjes. Por sipas autoriteteve vendore, këto tarifa nuk kanë arritur të ulin fluksin e turistëve aq sa ishte parashikuar.
Venturini kërkon që në ditët me numër të lartë vizitorësh, tarifa të shkojë nga 30 deri në 50 euro, duke e kthyer pagesën në një pengesë më të fortë për turizmin masiv.
Venecia ishte qyteti i parë në botë që vendosi një biletë hyrjeje për turistët ditorë. Masa u mor për të kufizuar vizitat e shkurtra që sjellin mbingarkesë në rrugët dhe sheshet e qytetit, ndërsa ndikimi ekonomik për bizneset lokale konsiderohet i kufizuar.
Sipas të dhënave të publikuara nga bashkia, gjatë javëve të para të këtij viti janë shitur më shumë bileta me çmim 10 euro sesa me 5 euro, çka tregon se shumë vizitorë vazhdojnë të planifikojnë udhëtimin në momentet e fundit.
Tarifa nuk paguhet nga turistët që qëndrojnë për të fjetur në Venecia, pasi ata paguajnë taksën e qëndrimit. Nga pagesa përjashtohen gjithashtu banorët e rajonit Veneto, fëmijët nën 14 vjeç dhe disa kategori të tjera.
Për ata që hyjnë në qytet pa biletë, gjobat variojnë nga 50 deri në 300 euro.
Propozimi për rritjen e tarifës duhet të diskutohet me qeverinë italiane, pasi kufijtë e çmimit janë të përcaktuar me ligj kombëtar.


