Pasi lajmi i trishtë për ndarjen nga jeta të Artan Lames u bë publik, për këtë ka reaguar dhe Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Nëpërmjet një postimi të bërë në rrjet, Veliaj shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta në moshë 58-vjeçare të ish-kreut të kadastrës.
Kryebashkiaku i Tiranës ka ngushëlluar bashkëshorten si dhe familjen e Lames për humbjen e madhe.
Ndërsa shprehet i pikëlluar për lajmin e hidhur, Veliaj kujton se Shqipëria humbi një person që pati një ndikim të madh në shoqërinë shqiptare.
“I pikëlluar nga lajmi i ndarjes nga jeta i Artan Lames, një mik i vyer që do t’u mungojë shumë të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të. Tani ishte një qytetar i angazhuar, një profesionist i jashtëzakonshëm, dhe mbi të gjitha, një njeri me shpirt të madh. Ai i dha shumë Tiranës dhe Shqipërisë – si publicist, koleksionist, nënkryetar i Bashkisë, si mendje e lirë dhe kritike, gjithmonë në shërbim të qytetit dhe të së mirës së përbashkët. Ngushëllime bashkëshortes Mirela, fëmijëve Lisia dhe Arbis, familjes dhe miqve për këtë humbje të rëndë!”, shkruan kryebashkiaku i Tiranës në rrjetet sociale.


