Ndërsa temperaturat në Europë po rriten dhe verat po bëhen gjithnjë e më të nxehta, shumë familje në Gjermani dhe në Europën Veriore ende nuk janë të përgatitura për të përballuar nxehtësinë ekstreme. Vetëm një pjesë e vogël e tyre përdorin kondicionerë në shtëpi.
Sa të përhapur janë kondicionerët në botë?
Në Shtetet e Bashkuara, rreth 90 për qind e banesave kanë ajër të kondicionuar. Në Japoni dhe Australi, sistemet e ftohjes janë gjithashtu shumë të përhapura për shkak të verave të nxehta dhe të lagështa.
Në Europë, kjo shifër është shumë më e ulët, rreth 20 për qind mesatarisht, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), me dallime të mëdha mes vendeve.
Në Spanjë, rreth gjysma e shtëpive kanë kondicioner, ndërsa në Gjermani vetëm rreth 6 për qind kanë sisteme fikse ftohjeje dhe rreth 13 për qind përdorin pajisje portative.
Pse në Gjermani ka pak kondicionerë?
Arsyeja kryesore lidhet me faktorë historikë dhe klimatikë. Deri vonë, verat në Europën Veriore kanë qenë më të buta dhe nuk e kanë bërë të nevojshëm përdorimin masiv të kondicionerëve. Shumë ndërtesa janë projektuar për të ruajtur nxehtësinë në dimër, jo për të ftohur ambientet në verë.
Valët e të nxehtit po e ndryshojnë situatën
Në vitet e fundit, valët e të nxehtit në Europë janë shtuar dhe janë bërë më intensive. Temperaturat e larta që zgjasin për ditë apo javë ndikojnë në shëndetin e njerëzve, infrastrukturën dhe ekonominë.
Sipas studimeve klimatike, temperaturat e verës janë rritur ndjeshëm krahasuar me fundin e shekullit të kaluar, ç’ka ka sjellë edhe rritje të kërkesës për ftohje. Në Gjermani, kërkesa për pajisje ftohëse po rritet ndjeshëm vitet e fundit, megjithatë përdorimi i tyre mbetet ende i kufizuar.
Arsyet kryesore janë kostoja e lartë e energjisë, kufizimet në ndërtesat e vjetra dhe shqetësimet mjedisore.
Në shumë vende europiane, ftohja e shtëpive ende konsiderohet luks dhe jo domosdoshmëri. Ekspertët paralajmërojnë se nxehtësia ekstreme po kthehet në një problem serioz shëndetësor, duke shkaktuar çdo vit edhe dhjetëra mijëra vdekje të lidhura me temperaturat e larta.
Pengesat në instalimin e kondicionerëve
Ndërtesat e vjetra dhe ato historike shpesh e bëjnë të vështirë instalimin e sistemeve të ftohjes. Në disa raste, pengesë janë edhe rregullat estetike dhe administrative, të cilat kufizojnë ndërhyrjet në fasadat e ndërtesave.
Një tjetër faktor është edhe kostoja e lartë e instalimit dhe përdorimit, që e bën këtë sistem të papërballueshëm për shumë familje.
Ndikimi mjedisor dhe energjia
Gjatë periudhave të nxehta, përdorimi i kondicionerëve rrit ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike, duke krijuar ngarkesë më të madhe në rrjetin energjetik.
Në Bashkimin Europian, konsumi i energjisë për ftohje është rritur vazhdimisht gjatë dekadës së fundit, sidomos pas vitit 2020, si pasojë e verave gjithnjë e më të nxehta.
Alternativat ndaj kondicionerëve
Ekspertët sugjerojnë disa zgjidhje më të qëndrueshme për përballimin e nxehtësisë. Një prej tyre është projektimi i ndërtesave në mënyrë që të sigurohet qarkullim natyror i ajrit, duke lejuar freskimin e ambienteve pa përdorimin e pajisjeve mekanike.
Një tjetër zgjidhje është përdorimi i materialeve ndërtimore që depozitojnë më pak nxehtësi, duke ndihmuar që ndërtesat të mos mbinxehen gjatë ditëve të verës.
Po ashtu, roletat, tendat dhe hijezimi më i mirë i dritareve ndihmojnë në uljen e temperaturës së brendshme, duke bllokuar rrezet e diellit në orët më të nxehta.
Rëndësi të madhe ka edhe rritja e hapësirave të gjelbra në qytete, pasi pemët dhe parqet ndihmojnë në uljen e temperaturës urbane dhe krijojnë një mikroklimë më të freskët.
Në disa qytete evropiane po zhvillohen gjithashtu sisteme të ftohjes qendrore, të cilat funksionojnë në mënyrë të ngjashme me ngrohjen qendrore, duke shpërndarë ujë të ftohtë në ndërtesa përmes rrjetit nëntokësor.
Edhe pse kondicionerët po bëhen gjithnjë e më të zakonshëm në Europë, përdorimi i tyre ende mbetet i kufizuar krahasuar me vendet e tjera të botës. Megjithatë, me rritjen e temperaturave globale, kjo tendencë pritet të ndryshojë në vitet e ardhshme.


