Maksim Çela, ish-anëtar i bandës famëkeqe të Aldo Bares dhe i dënuar në Shqipëri për një sërë krimesh të rënda, përfshirë vrasjen e oficerit të policisë Klenti Bano në vitin 2000, ka humbur betejën ligjore për azil në Mbretërinë e Bashkuar, raporton Top Channel. Vendimi është dhënë këtë të premte nga një tribunal i apelit për emigracionin në Londër, i cili rrëzoi përfundimisht pretendimet e tij për një kërcënim të mundshëm ndaj jetës në Shqipëri.
Në përpjekje për të fituar azilin, Çela pretendoi se kthimi në Shqipëri do ta vendoste në rrezik për shkak të hakmarrjeve, korrupsionit dhe ekspozimit mediatik. Në një përpjekje të fundit, ai përfshiu në argumentet e tij edhe referenca ndaj shpalljes “non grata” të Sali Berishës, duke pretenduar se vendi ende përballet me probleme serioze të drejtësisë dhe sigurisë.
“Kryeministri i kohës kur unë jam dënuar e kanë shpallur ‘Non Grata’ në Amerikë dhe në Britaninë e Madhe. Kjo tregon se paçka gjërat në Shqipëri janë përmirësuar ka prapë vend për të përmirësuar aspektet e sigurisë. Pas publikimit të lajmeve për mua nga media britanike më janë shtuar kërcënimet. Në një vend ku një polic mund ta korruptosh me 50 euro kjo do të thotë rrezik për jetën time dhe se mbrojtja ndaj meje nuk mund të jetë efektive në një vend me krim dhe korrupsion”.
Por tribunali emigracionit në Londër, mbërriti në përfundim se ndaj Maksim Çelës nuk ka asnjë lloj risku real kërcënues të jetës së tij në Shqipëri, gjë e cila do t’i mundësonte qëndrimin në Britaninë e Madhe e kështu dëbimi i tij nuk përbën asnjë problem apo shqetësim.
Çela, i cili mbërriti ilegalisht në Angli në prill të vitit 2023 me pasaportë false nga Spanja, mbahej në një qendër emigracioni dhe kërkoi azil, duke kërkuar në fillim edhe mbrojtje identiteti. Megjithatë, pas një beteje gjyqësore 23-mujore të gazetës britanike The Sun, atij iu hoq anonimati dhe emri i tij u bë publik.
Rasti ka ngjallur reagime të forta emocionale në Shqipëri, sidomos nga familja e viktimës Klenti Bano. Nëna e tij, Katia Bano, në një rrëfim për The Sun, u shpreh e shokuar për praninë e lirë të Çelës në Britani:
“Ai e meritonte burgun e përjetshëm. Nuk kuptoj si mund të tolerohet një kriminel i tillë në një vend demokratik, ndërkohë që djali im prehet në varr.”
Vendimi i fundit i gjykatës britanike pritet të hapë rrugën për dëbimin e Çelës nga Mbretëria e Bashkuar, nëse ai nuk e apelon brenda 21 ditëve në Gjykatën e Lartë.


