Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se vendi po vazhdon të shënojë progres në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë një deklarate publike të publikuar nga Komisioni Evropian, Von der Leyen përshëndeti gjithashtu përparimin e Malit të Zi dhe theksoi rëndësinë e një procesi zgjerimi të bazuar në meritë.
“Shqipëria dhe Mali i Zi po vijojnë të përparojnë në procesin e zgjerimit. E mirëpres mbështetjen tuaj të fortë për këtë proces, të bazuar në meritë. Kjo mbështetje përfshin edhe synimin për të përfunduar negociatat e pranimit me Malin e Zi deri në fund të këtij viti”, u shpreh ajo.
Presidentja e Komisionit Evropian foli edhe për zhvillimet në procesin e zgjerimit me vendet e tjera kandidate, duke nënvizuar se Ukraina dhe Moldavia kanë hapur grupin e parë të kapitujve të negociatave, një hap që ajo e cilësoi si shumë të rëndësishëm.
Von der Leyen vlerësoi gjithashtu rolin e Irlandës në mbështetjen e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke kujtuar se zgjerimi historik i vitit 2004 u dakordësua gjatë presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së.
Në fjalën e saj, ajo solli edhe shembullin e zhvillimit ekonomik të Irlandës pas anëtarësimit në Komunitetin Evropian në vitin 1973.
“Kur Irlanda iu bashkua Komunitetit Evropian, prodhimi i brendshëm bruto për frymë ishte rreth gjysma e mesatares evropiane. Sot ai është afërsisht dyfishi i saj. Irlanda dikur po përpiqej të arrinte ritmin e vendeve të tjera, ndërsa sot është një nga ekonomitë që udhëheq në Evropë. Ky është një nga argumentet më të forta në favor të zgjerimit të Bashkimit Evropian”, deklaroi Von der Leyen.
Deklaratat e presidentes së Komisionit Evropian vijnë në një periudhë kur procesi i zgjerimit ka marrë një shtysë të re dhe Shqipëria vijon negociatat për anëtarësim, me objektivin për të avancuar hapjen dhe mbylljen e kapitujve negociues në vitet e ardhshme.


