Julinda Emiri, aktorja që u zgjodh kryetare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ka qenë një nga protestueset e protestave të zhvilluara para Kryeministrisë.
Ajo zuri vendin e Edi Palokës, i cili vendosi të mos rikandidonte më për këtë post.
Emiri ka folur edhe në podiumin e instaluar para godinës së Kryeministrisë, të cilën e kontrollon Grupi Koordinues i tubimeve.
Emiri tha gjatë një fjalimi në protestë se atë që kryeministri Edi Rama, e nisi sipas saj me zaptimin e tokës te Teatri Kombëtar, e vijoi më pas me Rrjollin e Zvërnecin.
“Para disa ditësh më thanë për një djalë që kishte thënë këtu, ku janë artistët që ju shemb Teatri Kombëtar. Unë jam Julinda Emiri, jam aktore, kam filluar të protestoj kundër kësaj qeverie që ditën e parë dhe nuk do të shkulem nga ky shesh deri kur kjo qeveri të japë dorëheqjen. Skena që filloi me Teatrin, me zaptimin e pronës publike dhe tërheqjen e njerëzve zvarrë, vijoi më pas me Astirin, me Bregun e Lumit, me gratë që shisnin pras, me Rrjollin dhe Zvërnecin. Rama nuk ka kuptuar që shqiptarët mund të nënshtrohen përkohësisht, por jo përjetësisht. Dashuria për atdheun, është mbi dashurinë për nënën e babait”, tha aktorja Julinda Emiri në një fjalim para dy javësh në protestë.


