Shefi i inteligjencës turke, İbrahim Kalın, është takuar me liderin kurd Bafel Talabani gjatë një vizite në Irak, ku në qendër të bisedimeve ishin çarmatimi dhe shpërbërja e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), si dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë.
Sipas burimeve turke të sigurisë, takimi u zhvillua në qytetin e Sulajmanisë, ku palët diskutuan hapat e nevojshëm për avancimin e procesit të çarmatimit të PKK-së dhe forcimin e koordinimit në luftën kundër terrorizmit.
Gjatë bisedimeve u trajtua edhe situata e përgjithshme e sigurisë në rajon, me theks të veçantë te zhvillimet në Irak, Siri dhe Lindjen e Mesme.
Sipas mediave, të dyja palët vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve turke dhe atyre kurde për ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Burimet turke theksuan se procesi për eliminimin e kërcënimit që paraqet PKK-ja po hyn në një fazë vendimtare, ndërsa bashkëpunimi me autoritetet rajonale kurde konsiderohet një element kyç për arritjen e një zgjidhjeje afatgjatë.
Kurdët konsiderohen populli më i madh në botë pa një shtet të pavarur. Vlerësohet se rreth 15 milionë kurdë jetojnë në Turqi, kryesisht në pjesën juglindore të vendit.
PKK-ja u themelua në vitin 1978 nga Abdullah Öcalan. Fillimisht, organizata synonte krijimin e një shteti të pavarur kurd, ndërsa më vonë e orientoi agjendën e saj drejt kërkesave për autonomi dhe zgjerimin e të drejtave politike e kulturore të kurdëve brenda Turqisë.


