Kylian Mbappé nuk ka pasur një rrugëtim të lehtë drejt majës së futbollit botëror. Ylli francez është detyruar të marrë vendime të mëdha që në moshë shumë të re, duke sakrifikuar jetën familjare për të ndjekur ëndrrën e tij.
Babai i tij, Wilfried Mbappé, foli në një emision televiziv francez për sakrificat që ka bërë djali i tij për t’u shndërruar në një nga futbollistët më të mirë në botë. Sipas tij, suksesi me Real Madrid CF dhe me përfaqësuesen e Francës nuk ka ardhur pa kosto të mëdha personale.
“Dua të nënvizoj sakrificat – tregon Wilfried Mbappé – po flasim për sakrificat në nivel njerëzor kur e ke djalin që luan futboll. E kam parë Kylian të largohet nga shtëpia kur ishte 12-13 vjeç. Askush nuk e merr parasysh këtë. Tani që është një produkt i formuar, njerëzit thonë: ‘është bërë ky apo ai’, por ka shumë gjëra që nuk i kemi pasur dhe që nuk do t’i zëvendësojmë kurrë. Cili prind sot do të pranonte që djali i tij të largohej nga shtëpia në moshën 13-vjeçare dhe të mos kthehej më? Kjo është ajo që ka ndodhur. Është projekti i tij, është një histori e bukur, por jo të gjithë e kuptojnë.”
Ai kujtoi edhe periudhën kur Mbappé luante me të rinjtë e AS Monaco FC, përpara se të shpërthente në arenën ndërkombëtare.
Wilfried Mbappé foli edhe për pankinën e Francës dhe mundësinë që në të ardhmen ta marrë drejtimin Zinedine Zidane, duke vlerësuar figurën e legjendës franceze, por edhe trashëgiminë e Didier Deschamps.
“Nuk e di nëse Zidane është kandidati ideal, por sigurisht që do të jetë shumë i mirë. Do ta mësojmë më vonë, sepse është e vështirë të ndjekësh shembullin e Deschamps dhe historinë që ai ka lënë pas. Nëse do të jetë Zidane, të gjithë do të jemi të kënaqur,” – tha ai.
Në fund, ai ndau edhe një moment domethënës nga fëmijëria e Kylian: “Kur ishte i vogël, ishte shumë energjik dhe bënte shumë zhurmë. Por kur Zidane hapi derën, iu mbyll goja dhe mbeti pa fjalë. Që nga ajo ditë e pashë ndryshe. Ka njerëz që i sheh në televizion dhe zhgënjehesh kur i takon, por ai është krejt e kundërta.”


